Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me katër kongresistë amerikanë – Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer – të cilët së fundmi paraqitën dy rezoluta në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në mbështetje të Kosovës.
Gjatë takimit, Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe shprehu mirënjohje për Rezolutën 1246, që mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe Rezolutën 1250, e cila kërkon vazhdimin e pranisë së forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.
Sipas njoftimit, kryeministri në detyrë theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i vendit në aleancë mbeten prioritete strategjike për Qeverinë, duke i cilësuar si elemente kyçe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Në diskutim u përmend edhe çështja e katër shteteve anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me Kurtin që vlerësoi thirrjet e kongresistëve për njohjen e Republikës së Kosovës si një hap që do t’i hapte rrugë integrimit euroatlantik.
Kurti përsëriti gjithashtu qëndrimin e Qeverisë për ta bërë Camp Bondsteel një bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, duke argumentuar se një veprim i tillë do të sillte rritje të sigurisë rajonale dhe do të ishte në interes strategjik të SHBA-së dhe NATO-s.
Në takim u diskutua edhe për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës, për të cilën Kurti tha se do të ketë rol në luftimin e kontrabandës, terrorizmit dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, duke theksuar se ajo nuk synon të zëvendësojë KFOR-in, por të bashkëpunojë me të.
Në fund të bisedës, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa u bë e ditur se marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është në fazën e finalizimit.

