Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se situata për komunitetin serb në Kosovë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë”, duke akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për presion ndaj serbëve.
Në një intervistë për RTS, Vuçiç tha se autoritetet në Kosovë po ndërmarrin veprime kundër serbëve, duke përmendur arrestime dhe masa ndaj zyrtarëve lokalë serbë.
“Albin Kurti ka filluar të gjuajë serbë. Po arrestohen figura të njohura serbe, drejtorë shkollash dhe qendra shëndetësore”, deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia do ta mbështesë fuqishëm Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar atë si forcë kyçe për përfaqësimin e interesave të komunitetit serb në Kosovë.
“Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona dhe do të luftojmë për pozicionet e popullit serb”, tha ai.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Vuçiç ritheksoi se formimi i tij mbetet një prioritet dhe kujtoi se marrëveshja për këtë mekanizëm ishte nënshkruar më 19 prill 2013.
“Absolutisht Asociacioni dhe mbijetesa e popullit tonë janë prioritet”, u shpreh presidenti serb.
Në intervistë, Vuçiç foli edhe për zhvillimet rajonale dhe procesin e integrimit evropian, duke komentuar propozimet e fundit për Ukrainën dhe marrëdhëniet e Serbisë me vendet e rajonit. Ai tha gjithashtu se Serbia po pret investime të reja nga Kina dhe paralajmëroi se zgjedhjet në Serbi mund të mbahen në periudhën mes shtatorit dhe nëntorit. Burimi: RTS.
