Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar lidhur me planin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për themelimin e Xhandarmërisë, duke theksuar se çdo iniciativë e tillë duhet të jetë në përputhje me angazhimet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha se Uashingtoni është duke ndjekur zhvillimet e fundit lidhur me këtë çështje.
“Presim që plani i Qeverisë së Kosovës për krijimin e një force xhandarmërie të jetë në përputhje me zotimet e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, deklaroi zëdhënësi.
Ndërkohë, edhe NATO ka bërë të ditur se po e monitoron nga afër procesin, por ka shmangur komentet më të detajuara.
Një zyrtar i aleancës ushtarake tha se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë me institucionet e sigurisë në Kosovë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet.
“KFOR-i dhe NATO-ja mbeten të përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, thuhet në reagim.
Debati për krijimin e Xhandarmërisë nisi pasi më 19 maj ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi formimin e një grupi punues që do të analizojë dhe propozojë modalitetet për funksionimin e kësaj force të re.
Sipas Sveçlës, Xhandarmëria do të kishte përgjegjësi për mbrojtjen e kufijve, integritetit territorial, luftimin e terrorizmit, menaxhimin e trazirave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se një strukturë e tillë mund të luajë rol në menaxhimin e sigurisë kufitare, veçanërisht në veri të Kosovës, ku aktualisht KFOR-i mban kompetenca të rëndësishme.
Krijimi i saj ka nxitur reagime edhe në Serbi, ku autoritetet kanë deklaruar se KFOR-i mbetet “forca e vetme legjitime e armatosur në Kosovë” përgjatë vijës administrative.Burimi:REL.

