Qeveria e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndarë qindra milionë euro për mbështetje sociale dhe ekonomike për qytetarët që nga viti 2022, përmes Programit për Ringjalljen Ekonomike.
Sipas të dhënave të publikuara, nga viti 2022 deri në vitin 2026 janë planifikuar gjithsej 402.06 milionë euro, të shpërndara në forma të ndryshme mbështetjeje, duke përfshirë pensione, shtesa për lehona dhe fëmijë, subvencione për studentë, kuponë ushqimorë dhe ndihma për diasporën.
Shpërndarja sipas viteve paraqitet kështu:
- 2022: 108 milionë euro
- 2023: 144.3 milionë euro
- 2024: 69.7 milionë euro
- 2025: 50 milionë euro
- 2026: 30 milionë euro
Megjithatë, raportet financiare vjetore tregojnë se në disa raste shpenzimet reale kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar. Vetëm gjatë vitit 2024 janë shpenzuar më shumë mjete sesa ishin parashikuar fillimisht.
Ndër masat kryesore të financuara përfshihen:
- 39.9 milionë euro për shtesat për fëmijë dhe lehona (2024);
- 31.2 milionë euro për rritjen e koeficientit të pagave në sektorin publik (2025);
- 10 milionë euro për rritjen e pagesave për lehona;
- 10 milionë euro për rritjen e shtesave për fëmijë;
- 9.7 milionë euro për rritjen e pensioneve bazike;
- 6 milionë euro për mbështetje prej 100 eurosh për studentët;
- 4 milionë euro për mbulimin e policës së sigurimit për diasporën;
- 1 milion euro për kuponë ushqimorë për familjet në nevojë.
Po ashtu, përmes Programit për Ringjalljen Ekonomike janë ndarë fonde për bursa studentore, subvencionim të teksteve shkollore dhe mbështetje për kategori të ndryshme sociale.
Sipas shënimit të raportit, lista nuk përfshin të gjitha shpenzimet e realizuara, por vetëm ato të përmendura specifikisht në raportet financiare zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Burimi: REL.

