Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mirëpritur raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, të përgatitur për Kongresin, lidhur me politikën e Shteteve të Bashkuara për promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Maqedoncit, raporti riafirmon mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për zhvillimin dhe transformimin e Forca e Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.
“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë”, deklaroi ai.
Maqedonci theksoi se mbështetja amerikane ka pasur rol kyç në procesin e ngritjes së kapaciteteve të FSK-së dhe në ndërtimin e një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës.
Ai vlerësoi gjithashtu njohjen që raporti i jep Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare, duke nënvizuar angazhimin e vendit në nismat shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Sipas tij, ky zhvillim pasqyron transformimin e Kosovës “nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj”.
Ministri shtoi se Kosova do të vazhdojë investimet në kapacitetet mbrojtëse, forcimin e partneritetit me aleatët strategjikë dhe avancimin e synimit për integrim të plotë euro-atlantik.

