Një gjest i rrallë ndershmërie është regjistruar në Mitrovicë, ku një vajzë e mitur ka gjetur një kuletë me dokumente personale dhe 2 mijë euro para të gatshme, të cilat i ka dorëzuar në polici.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 29 maj, rreth orës 19:00. E mitura ka gjetur kuletën në rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë dhe menjëherë është paraqitur në Stacionin Policor Mitrovicë Jug për ta dorëzuar atë.
Pas pranimit të kuletës, zyrtarët policorë kanë identifikuar pronarin përmes dokumenteve të gjetura brenda saj. Pas procedurave të verifikimit, kuleta së bashku me shumën prej 2 mijë eurosh i është kthyer pronarit të ligjshëm.
Pronari ka shprehur mirënjohje për vajzën e mitur për veprimin e saj të ndershëm, si dhe për policinë për angazhimin në kthimin e pasurisë së humbur.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart këtë veprim, duke theksuar se sjellje të tilla përfaqësojnë vlera të rëndësishme qytetare dhe shërbejnë si shembull pozitiv për shoqërinë.
“Veprime të tilla kontribuojnë në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja është përshëndetur gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë vlerësuar ndershmërinë dhe përgjegjësinë e treguar nga e mitura.

