Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar aktivitetet e fushatës zgjedhore në Junik, ku ka deklaruar se mbështetja për subjektin që drejton është në rritje, veçanërisht në rajonin e Dukagjinit.
Në një postim të publikuar pas takimit me qytetarët, Abdixhiku e cilësoi Junikun si vend të krenarisë dhe qëndresës, duke theksuar se aty ka gjetur mbështetje, energji dhe besim për vizionin politik të LDK-së.
“Vazhduam edhe në Junik. Në këtë vend të krenarisë e qëndresës, gjetëm mbështetje, energji dhe besim për rrugëtimin tonë të përbashkët”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka vlerësuar se në Dukagjin po vërehet një mobilizim i madh i elektoratit në mbështetje të LDK-së, duke përdorur termin “kryengritja e djathtë” për të përshkruar atmosferën politike në këtë rajon.
“Në Dukagjin, mbështetja për Lidhjen si asnjëherë më parë. Në Dukagjin, kryengritja e djathtë ka marrë tash formë”, ka deklaruar lideri i LDK-së.
Gjatë vizitës në Junik, ai ka kërkuar mbështetje edhe për kandidatin e LDK-së për këtë komunë, Demokrat Ganijaj, i cili në fletëvotim mban numrin 109.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit po vazhdon me tubime dhe takime të shumta të partive politike në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa subjektet kryesore po intensifikojnë përpjekjet për të siguruar mbështetjen e elektoratit në ditët e fundit para votimit.

