Kryetari i Aleancbs për Kosovën, Ardian Gjini, ka kritikuar gjendjen e furnizimit me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore në vend, duke i cilësuar ato si dëshmi të problemeve me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Gjini tha se mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike gjatë ditës, ndërsa përmendi edhe gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, për të cilën tha se prej vitesh është lënë pa investimet e nevojshme.
“Mijëra familje pa rrymë në mes të ditës. E pak minuta më parë kalova rrugën Gjakovë-Dollc, që siç e dini është lënë tash e sa vite në mëshirë të fatit. Ky është realiteti në Kosovë”, ka deklaruar Gjini.
Ai e lidhi situatën aktuale me nevojën për ndryshim pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke shprehur bindjen se vendi mund të hyjë në një fazë të re zhvillimi.
“Ju uroj një të shtunë sa më të mbarë, me shpresën e madhe se pas 7 qershorit do të nisim një kapitull të ri, për një jetë më të mirë”, është shprehur ai.
Deklarata e Gjinit vjen në kuadër të fushatës zgjedhore, ku partitë politike po prezantojnë qëndrimet dhe premtimet e tyre për çështje që lidhen me infrastrukturën, energjinë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve.

