Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë mandatit të qeverisë së tij është shënuar rritja më e madhe e pagës mesatare në Kosovë, duke e krahasuar atë me periudhat e mëparshme qeverisëse.
Kurti theksoi se, përveç rritjes së pagave, qeveria kishte miratuar që në dhjetor të vitit 2022 ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë, por sipas tij, opozita e kishte dërguar atë në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke vonuar zbatimin e tij për afro 40 muaj.
“Përveç që paga mesatare është rritur trefish më shumë me ne në qeverisje, qysh në dhjetor 2022 e patëm miratuar ligjin për çmimet tavan për produktet bazë, por opozita e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Në fund të prillit 2026 e miratuam sërish ligjin, por kanë humbur 40 muaj”, ka deklaruar Kurti.
Në mbështetje të kësaj deklarate është publikuar edhe një grafik mbi lëvizjen e pagës mesatare bruto në Kosovë gjatë viteve 2012-2025. Sipas të dhënave të paraqitura, paga mesatare bruto ka arritur në 713 euro në vitin 2025, krahasuar me 466 euro në vitin 2020, kur nisi mandati i qeverisë aktuale.
Grafiku tregon se në periudhën 2020-2025 paga mesatare bruto është rritur për 247 euro ose 53 për qind. Ndërkohë, në periudhën 2014-2019, gjatë qeverive të kaluara, rritja e pagës mesatare ishte 74 euro ose 18 për qind, nga 403 euro në 477 euro.
Sipas të dhënave të prezantuara, trendi i rritjes është përshpejtuar veçanërisht gjatë viteve të fundit, me pagën mesatare që ka kaluar nga 521 euro në vitin 2022 në 570 euro në vitin 2023, 639 euro në vitin 2024 dhe 713 euro në vitin 2025.
Deklaratat e Kurtit vijnë në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, ku temat ekonomike, fuqia blerëse e qytetarëve dhe kontrolli i çmimeve po dominojnë debatin politik mes partive kryesore në vend.


