Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës nuk duhet të përballen më me pritje të gjata dhe kriza të vazhdueshme, duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm politik dhe ekonomik.
Përmes një mesazhi të publikuar gjatë aktiviteteve elektorale, Hamza theksoi se Kosova është vend i njerëzve punëtorë që, sipas tij, meritojnë më shumë mundësi dhe një standard më të mirë jetese.
“Kosova nuk është vend i krizave të pafundme. Kosova është vend i njerëzve që punojnë, sakrifikojnë dhe meritojnë më shumë”, ka deklaruar ai.
Hamza ka shtuar se qytetarëve, si në Lipjan ashtu edhe në pjesët tjera të vendit, nuk mund t’u kërkohet më durim dhe pritje për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen.
Sipas tij, koha për ndryshim ka ardhur dhe kërkesa e qytetarëve për një qasje të re në qeverisje është e qartë.
“Ndryshimi nuk mund të presë më. Qytetarët e kërkojnë atë tani”, është shprehur Hamza.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, ku partitë politike po intensifikojnë aktivitetet dhe takimet me qytetarët në mbarë vendin.

