Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se projekti për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec do të vazhdojë pavarësisht protestave të vazhdueshme të qytetarëve, duke theksuar se qeveria është e vendosur ta çojë përpara investimin që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në vend.
Në një intervistë për Reuters, Rama tha se projekti i mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, do të realizohet dhe se rezultatet do të bindin edhe skeptikët.
“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta bëjmë, dhe do të jemi krenarë që kontribuojmë në Evropë. Unë jam votuar për t’i bërë këto gjëra realitet. Nuk jam votuar që të udhëhiqem nga njerëz që kanë një ide tjetër për zhvillimin e vendit”, deklaroi Rama.
Deklarata e tij vjen në kohën kur protestat kundër projektit në zonën e Zvërnecit dhe lagunës së Vjosa-Nartë kanë hyrë në javën e dytë. Qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore kanë kërkuar anulimin e projektit, duke argumentuar se ai rrezikon biodiversitetin dhe ekosistemin e një prej zonave më të rëndësishme natyrore në Shqipëri.
Sipas Reuters, investimi i kompanisë Affinity Partners në Zvërnec kap vlerën e rreth 1.4 miliardë eurove, ndërsa së bashku me projektin në Ishulli i Sazanit mund të arrijë deri në 5 miliardë euro.
Rama e cilësoi projektin si pjesë të vizionit të tij për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, duke theksuar se “ëndrrat e mëdha gjithmonë kanë hasur kundërshti”.
Ndërkohë, protestuesit kanë zgjeruar kërkesat e tyre përtej çështjes së Zvërnecit, duke shprehur pakënaqësi edhe ndaj qeverisjes, korrupsionit, emigrimit dhe situatës socio-ekonomike në vend. Në tubimet e fundit në Tiranë janë dëgjuar thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe për anulimin e projektit.
Lidhur me shqetësimet mjedisore, Rama tha se vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk ka përfunduar dhe se autoritetet shqiptare mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e natyrës.
“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për faunën në Shqipëri. Nuk ka arsye të vihet në dyshim vullneti ynë për të mbrojtur gjithçka që duhet mbrojtur kur bëhet fjalë për jetën e egër dhe natyrën”, u shpreh ai.
Projekti në Zvërnec vazhdon të mbetet një nga temat më të debatueshme në Shqipëri, duke përballur argumentet e zhvillimit ekonomik me shqetësimet për ruajtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore.

