Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.
Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të ekzekutivit.
Në të njëjtën mbledhje, është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 122 mijë euro.
Këto mjete do të dedikohen për financimin e dy projekteve kapitale: “Renovimi i objektit të Qendrës së Panairit në Bërnicë” dhe “Regjistri për Pronarët Përfitues”.
Po ashtu, Qeveria ka aprovuar edhe autorizimin e një pagese në vlerë prej 154 mijë euro për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me qëllim rritjen e kuotës së kapitalit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë institucion financiar ndërkombëtar.
Sipas vendimit, investimi synon forcimin e pozicionit të Kosovës në BERZH dhe rritjen e kapacitetit për bashkëpunim në projekte zhvillimore dhe ekonomike.

