Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është përmbyllur procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës, të cilat deri më tani janë sjellë në Kosovë.
Sipas KQZ-së, nga fillimi i këtij procesi, të martën më 9 qershor në ora 16:00, e deri në përfundimin e tij, të dielën më 14 qershor 2026 në ora 17:00, në procesin e vlerësimit janë përfshirë gjithsej 85,790 pako. Prej tyre, 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.
KQZ njofton se arsyeja kryesore e refuzimit të pakove lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit. Në 2,552 raste ka munguar ky dokument, i cili përmban të dhëna unike dhe u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ.
Arsyet e tjera të refuzimit, më pak të shpeshta, përfshijnë rastet kur në një pako janë gjetur më shumë se një fletëvotim ose dokumente të më shumë se një personi (322 raste), kur votuesi ka dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishte regjistruar për votim (23 raste), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim (32 raste), kur ka munguar pulla apo vula postare (5 raste), si dhe një rast kur fletëvotimi ishte i shtypur.
Po ashtu, sipas KQZ-së, janë evidentuar edhe 46 zarfe të dërguara gabimisht.
KQZ rikujton se gjatë së hënës, më 8 qershor, është përmbyllur edhe procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare.
“Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga gjithsej 23 kuti postare, janë tërhequr 85,790 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar për të verifikuar nëse janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës”, thuhet në njoftim.
Votimi përmes postës ka nisur më 21 maj dhe është përmbyllur më 6 qershor. Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për këtë formë votimi në këto zgjedhje ishte rreth 105 mijë.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me postë. Ky proces ka nisur të premten në mbrëmje, më 12 qershor, me numërimin e kutive të para.
Deri të dielën, më 14 qershor 2026, në ora 18:00, janë numëruar 60 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit nga shërbimi votues i KQZ-së.

