Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, feston sot 80-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në oborrin e Shtëpisë së Bardhë do të organizohet një aktivitet i madh i arteve marciale të përziera.
Në kuadër të festimeve do të mbahet një garë e organizuar nga kampionati i arteve marciale, ku 14 sportistë të njohur do të përballen në një arenë me kapacitet prej rreth 4 mijë ulësesh. Ngjarja, me vlerë rreth 60 milionë dollarë, lidhet edhe me shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
Në sheshin qendror të Uashingtonit janë vendosur ekrane gjigante dhe pritet që mbi 125 mijë njerëz ta ndjekin këtë spektakël.
Ndonëse Trump njihet për faktin se nuk i pëlqen të festojë ditëlindjet, ai ka qenë shpesh në qendër të organizimeve madhështore. Ish-bashkëshortja e tij, Ivana Trump, kishte deklaruar më herët se ai “i urren” ditëlindjet.
Ideja për këtë aktivitet lindi dy vjet më parë, pasi Trump mori pjesë në një mbrëmje të arteve marciale në Nju Jork, ku u prit me brohoritje të shumta nga mbështetësit e tij.
Veprimtaria e sotme organizohet në bashkëpunim me drejtuesit e kampionatit të arteve marciale dhe shihet si pjesë e përpjekjeve të Trump për të forcuar ndikimin e tij te votuesit e rinj dhe mbështetësit politikë.
Ndërkohë, mes tensioneve për çështjen e Iranit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka dërguar një urim publik Trump-it për ditëlindje.
Netanyahu theksoi se synon ta çojë aleancën mes SHBA-së dhe Izraelit në nivele edhe më të larta, pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin.
Ngjarja pritet të transmetohet drejtpërdrejt në televizion dhe në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e miliona shikuesve në mbarë botën.
