Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, duke deklaruar se ato po shkaktojnë pasoja negative për turizmin dhe ekonominë e vendit.
Gjatë emisionit të tij “Flasim”, Rama tha se në dy javët e fundit shumë operatorë turistikë kanë raportuar anulim të rezervimeve nga turistët e huaj, veçanërisht në zonat bregdetare si Vlorë dhe Durrës.
Sipas tij, ky zhvillim po dëmton drejtpërdrejt bizneset lokale, ekonomitë familjare dhe ekonominë kombëtare.
“Nëse pengojmë hyrjen e të ardhurave që do të sillte një sezon i qetë turistik, atëherë duhet pyetur se kujt i shërben kjo”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë ngriti shqetësim edhe për klimën në rrjetet sociale, duke theksuar rritjen e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe presionit ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Ai përmendi edhe rastin e këngëtarit Ylli Limani, i cili, sipas tij, është përballur me fyerje dhe presione për shkak të koncertit të tij në Tiranë.
Rama theksoi se brenda protestave ekziston një frymë e rrezikshme intolerance, ku synohet imponimi i mendimit të një grupi mbi pjesën tjetër të shoqërisë.
“Ose mendon si unë, ose do të përballesh me fyerje, kërcënime dhe presion. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te 35-vjetori i Partia Socialiste e Shqipërisë, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm reflektimi për rrugëtimin e vendit.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet sot në pozitën më të mirë historike falë reformave dhe qeverisjes së Partisë Socialiste.
“Shqipëria është më mirë se kurrë më parë dhe vetëm kjo forcë politike mund ta çojë vendin përpara”, përfundoi Rama.

