Hykmete Bajrami, ka kërkuar anulimin e Testit të Maturës, duke vlerësuar se procesi ka humbur besueshmërinë dhe nuk po garanton vlerësim të drejtë të nxënësve.
Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se rrjedhja e pyetjeve dhe përgjigjeve të testit në rrjetet sociale është bërë një problem i përsëritur prej vitesh, duke dëmtuar rëndë integritetin e testimit.
“Nëse nuk ki mundësi me organizu si duhet, anuloje”, ka deklaruar ajo.
Sipas Bajramit, tash e gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim – publikimi i testit menjëherë pas fillimit të provimit, gjë që sipas saj po favorizon kopjimin në vend të dijes.
Ajo theksoi se, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk po dalin nxënësit që kanë mësuar më shumë, por ata që arrijnë të kopjojnë më shumë.
“Testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin. Kjo është padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të vyeshëm që kanë punuar me vite”, u shpreh Bajrami.
Deputetja e LDK-së vlerësoi se ky nuk është më vetëm problem i organizimit teknik të një testi, por një çështje që prek drejtpërdrejt drejtësinë në arsim dhe procesin e regjistrimit në fakultete.
Sipas saj, kur kopjimi bëhet rruga më e lehtë drejt suksesit, nxënësit e ndershëm penalizohen.
Bajrami shtoi se është koha që të pranohet realiteti se testi i maturës e ka humbur funksionin e tij dhe duhet të zëvendësohet me një sistem tjetër vlerësimi.
Ajo propozon që vlerësimi i nxënësve të bazohet në suksesin e arritur gjatë gjithë shkollimit fillor dhe të mesëm, e jo në një test që, sipas saj, manipulohet lehtësisht.
“Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim. Ministër, dil dhe merr përgjegjësi”, përfundoi Bajrami.

