Holanda ka dhuruar një paraqitje mbresëlënëse duke mposhtur bindshëm Suedinë me rezultat 5-1 në ndeshjen e Grupit F, duke siguruar vendin e parë në grup.
“Tulipanët” e nisën furishëm takimin në Hjuston, ku Brian Brobbey realizoi dy golat e parë të sfidës. Sulmuesi holandez hapi serinë e golave që në minutën e 5-të, ndërsa në minutën e 17-të dyfishoi epërsinë e skuadrës së tij.
Në pjesën e dytë, Cody Gakpo vazhdoi dominimin holandez duke realizuar dy herë, fillimisht në minutën e 47-të dhe më pas në të 54-tën, duke e çuar rezultatin në 4-0.
Suedia arriti të shënojë golin e nderit në minutën e 59-të me Anthony Elanga, por nuk pati forcë për t’u rikthyer në lojë. Pak minuta para fundit, Crysencio Summerville vulosi fitoren e thellë të Holandës me golin e pestë të mbrëmjes.
Me këtë triumf, Holanda merr kreun e Grupit F dhe konfirmon statusin e një prej pretendentëve në turne.
Ndërkohë, sonte nga ora 22:00 zhvillohet përballja e Grupit E mes Gjermanisë dhe Bregut të Fildishtë. Gjermanët vijnë pas fitores së thellë 7-1 ndaj Kurasaos, ndërsa sfida e sotme konsiderohet testi i parë serioz për ekipin e tyre.

