Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Panairin e Librit “Prishtina 2026”, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe deputeti Nezir Kraki.
Edicioni i 26-të i panairit po mbahet nën moton “Libri hap botën” dhe organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Pallatin e Rinisë dhe Komunën e Prishtinës.
Panairi, i cili u hap më 17 qershor dhe do të përmbyllet më 21 qershor, ka mbledhur rreth 100 botues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe trevat shqiptare. Sipas organizatorëve, në këtë edicion prezantohen afërsisht 2 mijë tituj të rinj.
Përveç ekspozimit të botimeve më të fundit, programi i sivjetmë përfshin mbi 40 aktivitete kulturore, mes tyre promovime librash, debate dhe diskutime me autorë e personalitete të fushës së letërsisë dhe botimit.
Panairi i Librit në Prishtinë mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, duke shërbyer si pikëtakim për autorë, botues, studiues dhe dashamirës të librit.
