Izrael dhe Liban pritet të shpallin sot një marrëveshje pas katër ditësh negociata intensive të zhvilluara në Uashington.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Barak Ravid i Axios, i cili ka raportuar se zyrtarë izraelitë dhe libanezë kanë konfirmuar se njoftimi zyrtar për marrëveshjen mes dy qeverive mund të bëhet brenda ditës.
Edhe media izraelite Ynet, duke cituar burime të larta shtetërore, ka raportuar se marrëveshja kuadër me Bejrutin është afër finalizimit, ndonëse ende nuk është bërë publik kalendari i saktë i zbatimit.
Sipas The Times of Israel, marrëveshja parasheh tërheqjen e forcave izraelite nga dy zona brenda zonës tampon prej rreth 10 kilometrash, e krijuar nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në jug të Libanit.
Burimet bëjnë të ditur se trupat izraelite do të zëvendësohen nga forcat e armatosura libaneze, si pjesë e mekanizmit të zbatimit të marrëveshjes.
Nëse konfirmohet, kjo marrëveshje mund të shënojë një zhvillim të rëndësishëm në uljen e tensioneve mes Izrael dhe Liban, pas muajsh përshkallëzimi dhe shqetësimesh për një konflikt më të gjerë rajonal.

