Koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se Kosova mund të humbë mbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse nuk funksionalizohen institucionet dhe nuk miratohen reformat e nevojshme deri në fund të vitit.
Ai bëri të ditur se më 15 korrik Kosova do t’ia dorëzojë Komisionit Evropian raportin e parë për zbatimin e Agjendës së Reformave, përmes të cilit do të kërkohet disbursimi i më shumë se 100 milionë eurove.
Sipas Zulfajt, deri më 30 qershor janë përmbushur 18 nga 111 hapat e paraparë në agjendën reformuese. Pas dorëzimit të raportit, Komisioni Evropian do të ketë tre muaj kohë për të verifikuar progresin dhe për të vendosur mbi lirimin e fondeve.
Ai theksoi se vonesat në miratimin e reformave, kryesisht për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, i kanë kushtuar Kosovës tashmë rreth 40 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit rrezikohen edhe mbi 100 milionë euro të tjera.
“Nëse Kuvendi nuk funksionalizohet dhe nuk miratohen ligjet e nevojshme, rrezikojmë të humbim fonde të rëndësishme që janë të destinuara për zhvillimin e vendit”, deklaroi Zulfaj.
Sipas tij, fondet e Planit të Rritjes janë të dedikuara për projekte infrastrukturore, ndërtimin e çerdheve dhe shkollave, forcimin e sistemit të drejtësisë, digjitalizimin dhe fusha të tjera prioritare.
Zulfaj u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të mundësojnë miratimin e reformave, duke theksuar se vonesat institucionale kanë pasoja të drejtpërdrejta financiare për Kosovën.
Me zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave, Kosova pritet të përfitojë deri në 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, prej të cilave 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa 629.3 milionë euro janë hua afatgjata për financimin e projekteve zhvillimore.

