Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se mbeten të gatshme për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, por theksojnë se kjo do të ndodhë vetëm pasi të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj komunitetit serb.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik me Kosovën është pezulluar që nga shtatori i vitit 2025 për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.
Megjithatë, Uashingtoni nuk ka dhënë një afat se kur mund të rifillojë dialogu dhe nuk ka specifikuar hapat konkretë që pret nga autoritetet kosovare.
Dialogu me Serbinë nis, ai me Kosovën mbetet i pezulluar
Deklarata vjen në ditën kur Shtetet e Bashkuara kanë nisur rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, një mekanizëm që synon thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme.
Sipas Departamentit të Shtetit, dialogu me Beogradin synon forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe arsimor, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta mes dy vendeve.
Pse u pezullua dialogu me Kosovën?
Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Dialogu Strategjik me Kosovën pezullohej për një periudhë të pacaktuar, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas saj, kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Vendimi erdhi pas aksioneve të institucioneve të Kosovës ndaj strukturave paralele serbe dhe kritikave të autoriteteve kosovare ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë kërkon SHBA nga Kosova?
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian prej vitesh kërkojnë nga Kosova zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.
Ndër kërkesat kryesore janë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, garantimi i një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit, si dhe shmangia e veprimeve të njëanshme në veri të Kosovës.
Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i ndërsjellë dhe se masat e ndërmarra në veri kanë pasur për synim forcimin e sundimit të ligjit dhe shtrirjen e autoritetit shtetëror në gjithë territorin e vendit.

