Një gjykatë në Florida ka urdhëruar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që t’u dorëzojë avokatëve të BBC-së dokumentet financiare të fondit të tij, në kuadër të padisë për shpifje me vlerë 10 miliardë dollarë të ngritur kundër transmetuesit britanik.
Vendimi është marrë nga gjykatësja Enjolique Lett, e cila ka pranuar kërkesën e BBC-së për qasje në dokumentet financiare të “Donald J. Trump Revocable Trust”, fondi që administron interesat dhe asetet e biznesit të Trump dhe që menaxhohet nga djali i tij i madh.
Padia lidhet me një dokumentar të emisionit “Panorama”, të transmetuar nga BBC në vitin 2024, i cili trajtonte trazirat në Kapitolin e SHBA-së. Trump pretendon se dokumentari i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare dhe reputacionale.
Avokatët e presidentit amerikan e kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si “të parakohshëm, të papërshtatshëm dhe veçanërisht të ashpër”. Ata gjithashtu e kanë përshkruar kërkesën e BBC-së për dokumentet financiare si një “ekspeditë peshkimi”.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të BBC-së argumentojnë se dokumentacioni është i domosdoshëm për të verifikuar pretendimet e Trump mbi dëmet financiare që, sipas tij, janë shkaktuar nga dokumentari.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Trump pretendon se është dëmtuar financiarisht nga veprimet e BBC-së dhe se është përfituesi i vetëm i fondit që zotëron ose lidhet me rreth 400 subjekte biznesi.
BBC ka kërkuar gjithashtu rrëzimin e padisë, duke argumentuar se ajo mund të krijojë një efekt frenues mbi raportimin mediatik për figurat publike dhe çështjet me interes publik. Transmetuesi britanik ka kundërshtuar edhe juridiksionin e gjykatës në Florida, duke theksuar se dokumentari nuk është transmetuar në atë shtet dhe as në territorin e Shteteve të Bashkuara.

