Vlora Çitaku, ka deklaruar se takimi ndërmjet kryetarit të partisë, Bedri Hamza, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret, duke theksuar se nuk ka pasur hapësirë reale për diskutime politike.
E ftuar në emisionin Rubikon, Çitaku tha se PDK-ja nuk ka hyrë në takim për të negociuar poste, por për të diskutuar vizionin dhe parimet mbi qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme.
“Është tmerruese se si synohet të reduktohet çështja e zgjedhjes së presidentit në një vend pune. Ne nuk kemi shkuar në takim për të diskutuar për një vend pune, por për parimet, se si do të duket Kosova në katër vitet e ardhshme”, u shpreh ajo.
Sipas Çitakut, takimi nuk solli asnjë zhvillim të ri në raportet ndërmjet dy palëve.
“Nuk ka pasur asnjë lloj hapësire për të diskutuar. Do të doja të kisha diçka ekskluzive, substanciale e domethënëse për të shpalosur, por nuk ka. Ka qenë një déjà vu i takimeve të mëhershme, madje mund të them se ka pasur edhe kthim prapa në atë që mund të quhej ofertë”, deklaroi ajo.
Çitaku shtoi se, sipas saj, qëndrimi i kryeministrit në detyrë ka qenë se qeverinë dhe Kuvendin do t’i formojë vetë, ndërsa ka propozuar vetëm bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit.
“U tha: ‘Qeverinë e bëj vetë, Kuvendin e bëj vetë, po hajde ta bëjmë presidentin’”, tha Çitaku.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur partitë politike po zhvillojnë takime në përpjekje për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. Burimi: Klankosova.tv

