Qeveria e Kosovës ka themeluar Këshillin Kombëtar të Arteve, një mekanizëm të ri institucional që synon të forcojë zhvillimin e politikave publike në fushën e artit dhe kulturës, duke garantuar profesionalizëm, pavarësi dhe përfaqësim të komunitetit artistik.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa deputetja Saranda Bogujevci e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm në zbatimin e reformës në sektorin e kulturës.
Sipas saj, ky është një moment i rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi kulturor më profesional, më transparent dhe më gjithëpërfshirës, në shërbim të artistëve, institucioneve kulturore dhe qytetarëve.
Këshilli do të ketë rol këshillues në hartimin dhe avancimin e politikave kulturore, ndërsa përbërja e tij përfshin profesionistë nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.
Përbërja e Këshillit Kombëtar të Arteve
- Yll Rugova – përfaqësues nga fusha e arteve pamore;
- Baki Jashari – përfaqësues nga fusha e muzikës klasike dhe operës;
- Visare Aliu – përfaqësuese nga fusha e teatrit;
- Afrim Spahiu – përfaqësues nga fusha e filmit dhe sektorit audiovizual;
- Ardianë Pajaziti – përfaqësuese nga fusha e letërsisë dhe librit;
- Visar Munishi – përfaqësues nga fusha e këngëve dhe valleve folklorike;
- Aulona Nuhiu – përfaqësuese nga fusha e baletit dhe vallëzimit modern;
- Alberta Troni – përfaqësuese e institucioneve akademike dhe kërkimore në fushën e artit dhe kulturës;
- Arif Muharremi – përfaqësues i sektorit të pavarur kulturor, përfshirë organizatat, institutet dhe shoqatat e artit dhe kulturës;
- Artnet Haskuka – përfaqësuese nga fushat e ndërlidhura me kulturën, si dizajni, arkitektura dhe industritë kreative;
- Visar Haxhibeqiri – përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës.
Themelimi i Këshillit Kombëtar të Arteve konsiderohet një prej hapave kyç në reformimin e sektorit kulturor në Kosovë, me synimin për të siguruar një vendimmarrje më profesionale, transparente dhe të bazuar në ekspertizën e komunitetit artistik.

