Franca ka nisur zbatimin e kontrolleve të rrepta kundër përdorimit të drogës në administratën shtetërore, ndërsa disa punonjës janë larguar nga detyra pasi rezultuan pozitivë në testet e drogës.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, konfirmoi në një intervistë për revistën Paris Match se vendimi për testime të papritura dhe të paparalajmëruara është marrë kryesisht për arsye sigurie.
“Shumë thonë se e bëra këtë për të dhënë një shembull në Francë. Kjo është e vërtetë. Por mbi të gjitha e bëra për arsye sigurie”, deklaroi ai.
Sipas tij, një pjesë e zyrtarëve të testuar kanë qasje në informacione të klasifikuara dhe përdorimi i drogës mund të rrezikojë sigurinë kombëtare dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
Teste të detyrueshme dhe masa disiplinore
Në mesin e muajit qershor, Lecornu u kishte dërguar ministrive një qarkore që urdhëronte kryerjen e testeve të detyrueshme dhe të paparalajmëruara të pështymës për zbulimin e përdorimit të substancave narkotike.
Kontrollet përfshijnë anëtarë të ministrive, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe personel që i nënshtrohet procedurave të verifikimit të sigurisë.
Sipas udhëzimeve, në rast të rezultateve pozitive, institucionet duhet të shqyrtojnë masat disiplinore, deri në largimin nga detyra.
“Shteti duhet të jetë i besueshëm”
Lecornu theksoi se lufta kundër trafikut dhe konsumit të drogës duhet të nisë nga vetë institucionet shtetërore.
Ai e cilësoi trafikun e drogës si sfidën më të madhe të politikës së brendshme të Francës, duke shtuar se vendi ka afro një milion konsumues droge.
“Nuk mund të dënojmë vrasjet e 16-vjeçarëve në periferitë e qyteteve dhe në të njëjtën kohë të tolerojmë konsumimin e drogës në lagjet e pasura”, u shpreh kryeministri.
Kontrollet do të vazhdojnë
Sipas Lecornu, testimet nuk janë një masë e përkohshme, por do të vazhdojnë në mënyrë të rastësishme edhe në të ardhmen.
Ndërkohë, ekipet e kontrollit zhvilluan teste edhe në Hôtel de Matignon, selinë e qeverisë franceze. Sipas raportimeve të televizionit TF1, kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij rezultuan negativë në testet e drogës.
Qeveria franceze e konsideron këtë nismë pjesë të strategjisë për forcimin e luftës kundër drogës dhe rritjen e besueshmërisë së institucioneve publike. Burimi: DW.

