Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin në Zubin Potok, është identifikuar një lokacion i dyshuar ku mund të ketë mbetje mortore.
Sipas komunikatës së përbashkët të publikuar nga institucionet, lokacioni ndodhet në fshatin Jabukë dhe është identifikuar gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara në terren të shtunën, më 2 gusht.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë një kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.
Pas marrjes së autorizimit nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe institucionet e tjera kompetente, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ekzaminimin e lokacionit.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, duke theksuar se hetimet janë në zhvillim dhe se informacionet e mëtejshme do të bëhen publike në përputhje me ecurinë e procedurave hetimore.

