Një situatë kaotike është krijuar në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ku prej orëve të para të mëngjesit është regjistruar një bllokim i madh i trafikut.
Në pikat kufitare Karasovići (Debeli Brijeg) dhe Vitaljina (Konfin) janë krijuar kolona automjetesh që, sipas raportimeve nga terreni, kanë kaluar gjatësinë prej 20 kilometrash, duke u shtrirë deri në zonat e Çilipit dhe Župës së Dubrovnikut.
Sipas të dhënave të Klubit Kroat të Automobilëve (HAK), pritja për kalimin e kufirit ka kaluar mbi 10 orë, ndërsa disa udhëtarë kanë deklaruar se vonesat në disa raste kanë qenë edhe më të gjata.
Mediat kroate raportojnë se, sipas informacioneve jozyrtare nga terreni, disa udhëtarë kanë pritur deri në 28 orë për të kaluar kufirin me Malin e Zi.
Trafiku në Konavle i paralizuar
Situata më e rënduar është paraqitur në zonën e Konavles, ku qarkullimi drejt Grudës dhe vendbanimeve përreth është pothuajse plotësisht i bllokuar.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje banorëve të përdorin rrugë alternative rurale, ndërsa temperaturat e larta kanë përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e udhëtarëve që kanë mbetur të bllokuar në automjetet e tyre për orë të tëra.
Për shkak të vapës së madhe, shumë pasagjerë kanë dalë nga makinat duke kërkuar ujë dhe ndihmë pranë rrugës.
Kryetari i Bashkisë së Konavles, Božo Lasić, e ka cilësuar situatën si të papranueshme, duke theksuar se edhe banorët vendas janë penguar për orë të tëra për të arritur në shtëpitë e tyre.
Solidaritet nga banorët vendas
Në mes të kaosit të trafikut, banorët lokalë kanë treguar solidaritet me udhëtarët e bllokuar.
Ata kanë shpërndarë ujë për shoferët dhe pasagjerët, ndërsa disa familje kanë hapur edhe dyert e shtëpive të tyre duke u ofruar përdorimin e tualeteve personave që ndodheshin në kolonat e gjata.
Gjithashtu është siguruar edhe një cisternë me ujë për të ndihmuar udhëtarët gjatë temperaturave të larta.
Autoritetet u kanë bërë thirrje udhëtarëve nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe nga vendet e tjera të rajonit që planifikojnë të udhëtojnë drejt Malit të Zi përmes kësaj rruge, që të shmangin këtë segment deri në normalizimin e situatës.
