Mirlind Daku vijon të tregojë formë të mirë me fanellën e Rubin Kazanit, pavarësisht zërave të merkatos që e shoqërojnë gjatë kësaj periudhe.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka realizuar golin e dytë sezonal në Superligën ruse, në përballjen ndaj Akron Togliatti, e vlefshme për raundin e dytë të kampionatit.
Rubin Kazani mbylli pjesën e parë me avantazhin 1-2, ku Daku ishte një nga protagonistët kryesorë. Ekipi mysafir kaloi në epërsi në minutën e 15-të me Arroyo, ndërsa vetëm katër minuta më vonë erdhi radha e sulmuesit shqiptar për të gjetur rrugën e rrjetës.
Pas një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë, topi mbeti në zonën e rrezikshme dhe, pavarësisht se Daku kërkoi një pasim, ai arriti ta kontrollojë situatën dhe me një goditje të saktë me të djathtën dyfishoi avantazhin për Rubin Kazanin.
Akron Togliatti ngushtoi diferencën në minutën e 30-të, duke e bërë pjesën e dytë më të tensionuar, por goli i Dakut konfirmoi edhe një herë rëndësinë e tij në repartin ofensiv të skuadrës.
E ardhmja e Dakut mbetet në qendër të vëmendjes
Performancat e sulmuesit shqiptar kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera në Rusi. Mediat ruse raportojnë se Spartaku i Moskës është i gatshëm të aktivizojë klauzolën e largimit prej 11 milionë eurosh për të siguruar kartonin e Dakut nga Rubin Kazani.
Megjithatë, vetë lojtari nuk duket i ndikuar nga zërat e merkatos dhe vazhdon të përqendrohet te detyra e tij kryesore: shënimi i golave.
Rubin Kazani ka bërë të ditur se Daku po përgatitet normalisht me skuadrën dhe mbetet pjesë e projektit të klubit, ndërsa e ardhmja e tij pritet të qartësohet gjatë ditëve në vijim.
Sulmuesi shqiptar po e nis sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke lënë që përgjigjen për të ardhmen ta japë aty ku di më mirë – në fushën e lojës.

