Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se një raund i ri negociatash me Iranin do të nisë të hënën pasdite, pasi, sipas tij, Uashingtoni vendosi të anulonte sulme të planifikuara ndaj objektivave iraniane për t’i dhënë një mundësi diplomacisë.
Gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se Irani ishte në dijeni të përgatitjeve ushtarake amerikane dhe se bisedimet do të zhvillohen në formën e negociatave direkte.
“Ata e dinin shkallën e sulmit sepse panë përgatitjet. Po flasim me ta në formën e negociatave. Ato fillojnë të hënën pasdite”, deklaroi Trump.
Trump: Aleatët në Lindjen e Mesme kërkuan të shmangeshin sulmet
Më herët, në një postim në rrjetin social Truth Social, presidenti amerikan kishte bërë të ditur se Irani dhe disa aleatë të SHBA-së në Lindjen e Mesme i kishin kërkuar të mos kryente sulme gjatë fundjavës, pasi, sipas tij, ishin përcaktuar parametrat e një marrëveshjeje të mundshme.
Trump tha se mes vendeve që kërkuan vetëpërmbajtje ishin Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
“Ne ishim plotësisht gati të vepronim. Arsyeja pse ma kërkuan është sepse besojnë se ekziston mundësia e një marrëveshjeje. Ka një marrëveshje për Hormuzin dhe do të ketë një marrëveshje edhe për çështjen bërthamore”, u shpreh ai.
Teherani mohon pretendimet e Trumpit
Nga ana tjetër, agjencia shtetërore iraniane Mehr ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit amerikan, duke mohuar se Teherani ka kërkuar nga SHBA-ja të përmbahet nga veprimet ushtarake.
Sipas medias iraniane, pretendimet e Trumpit janë “asgjë më shumë se një gënjeshtër e re”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se negociatat e zhvilluara me ndërmjetësimin e Omanit për çështjen e Ngushticës së Hormuzit po ecin “në rrugën e duhur drejt përfundimit”.
Ende pa detaje për takimin
Presidenti amerikan nuk ka bërë të ditur vendin ku do të zhvillohen negociatat, as përbërjen e delegacioneve që do të marrin pjesë në bisedime.
Trump tha se sulmet e planifikuara do të kishin qenë “më të mëdhatë që nga Lufta e Dytë Botërore”, por shtoi se vendosi të mos i autorizojë për të mos rrezikuar një zgjidhje të negociuar të konfliktit.
“Do të shohim se si do të shkojë. Jemi gati të veprojmë në çdo moment që dëshirojmë, por nuk po kërkoj të vras njerëz”, deklaroi ai.
Irani: Jemi të përgatitur për çdo skenar
Ndërkohë, ministri në detyrë i Mbrojtjes i Iranit, Majid Ibn al-Reza, tha se autoritetet iraniane i konsiderojnë seriozisht të gjitha kërcënimet që vijnë nga kundërshtarët e tyre.
“Ne nuk do të befasohemi dhe as nuk do të qëndrojmë duarkryq”, deklaroi ai, duke theksuar se Teherani është i përgatitur për çdo zhvillim.
Raundi i ri i negociatave shihet si një mundësi për uljen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, megjithëse deklaratat kontradiktore të palëve tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë.

