Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë ndërprerë kontratat e punës për edhe nëntë zyrtarë nga institucionet vartëse të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).
Sipas saj, vendimi përfshin shtatë zyrtarë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nga komuniteti serb, të cilët, sipas deklaratës së saj, njihen edhe si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”.
Pacolli tha se vendimet janë marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës dhe janë bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Me këto vendime, sipas saj, numri i përgjithshëm i kontratave të punës të ndërprera në kuadër të MMPH-së dhe institucioneve të saj vartëse ka arritur në 29.
“Më herët janë shkëputur kontratat për 20 zyrtarë të MMPH-së, ndërsa tash edhe për 9 zyrtarë të AMMK-së dhe AKK-së”, ka bërë të ditur Pacolli.
Ajo theksoi se zbatimi i ligjit do të jetë i barabartë për të gjithë zyrtarët publikë.
“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka deklaruar Pacolli.

