Eugen Cakolli ka reaguar lidhur me vendimin për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një shkelje të hapur të rendit kushtetues.
Sipas Cakollit, caktimi i vazhdimit të seancës për nesër, në orën 11:00, pas skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, përbën cenim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.
Ai argumenton se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka pasur detyrimin që vazhdimin e seancës ta caktonte gjatë ditës së sotme, në një orar që do të mundësonte përfundimin e saj brenda afatit kushtetues.
Sipas tij, afati 48-orësh për ndërprerjen e seancës është një kufi procedural, i cili duhet të zbatohet vetëm brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Në reagimin e tij, Cakolli vlerëson se, përmes caktimit të vazhdimit të seancës pas afatit dhe mosshfrytëzimit në kohë të së drejtës ekskluzive për propozim nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetëve u është pamundësuar ushtrimi i të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese.
Ai e cilëson situatën si shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në fund të reagimit, Cakolli u bën thirrje të paktën dhjetë deputetëve që, menjëherë pas mesnatës, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimin për caktimin e seancës pas afatit, si dhe mosveprimet e datave 6 dhe 7 gusht. Ai kërkon gjithashtu që të parashtrohet kërkesë për masë të përkohshme, me qëllim pezullimin e seancës së planifikuar për nesër në orën 11:00.

