Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me tejkalimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka bërë këtë qëllimisht.
Haradinaj tha se Kosova tashmë ndodhet në një situatë të rrezikshme dhe se veprimet e ardhshme politike dhe institucionale duhet të synojnë ruajtjen e kushtetutshmërisë.
Ai bëri të ditur se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në seancën konstituive, pavarësisht faktit se afati kushtetues është tejkaluar.
“Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerët, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues për t’i zgjedhur institucionet”, deklaroi Haradinaj para hyrjes në Kuvend.
Sipas tij, tani duhet të shqyrtohen me kujdes hapat e ardhshëm për të dalë nga situata e krijuar.
“Si do të dalim nga kjo, do të merremi me kujdes… Të shohim si mund ta nxjerrim vendin nga situata e re e krijuar, për nxjerrjen e institucioneve. Kemi hyrë në situatë të rrezikshme”, tha ai.
Haradinaj theksoi se zhvillimet e fundit kanë pasoja në planin kushtetues dhe se veprimet politike duhet të jenë të orientuara drejt respektimit të rendit juridik.
“Kjo që ka ndodhur ka pasoja kushtetuese. Veprimet e ardhshme duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë”, u shpreh Haradinaj.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet brenda afatit 30-ditor dhe seanca është caktuar të vazhdojë sot në orën 11:00.

