Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka bërë të ditur se opozita duhet të jetë pjesë e seancës konstituive të Kuvendit, pavarësisht faktit se ajo është caktuar të vazhdojë pas skadimit të afatit kushtetues.
Hoxhaj tha se bojkotimi i seancës nga opozita do të ishte një gabim politik dhe kërkoi që deputetët opozitarë të veprojnë me përgjegjësi dhe vendosmëri.
“Do të ishte e fundit që opozita ta bojkotojë një seancë të tillë, por duhet politikisht të sillemi në mënyrën më të pjekur e të vendosur”, deklaroi Hoxhaj para hyrjes në Kuvend.
Sipas tij, pjesëmarrja e opozitës është e nevojshme për të mos lejuar që situata politike të shkojë në një drejtim që do t’i shërbente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Hoxhaj tha se pikërisht mospjesëmarrja e opozitës në seancë mund të jetë pjesë e strategjisë politike të Kurtit.
“Mospjesëmarrja e opozitës është qëllimi i Kurtit”, u shpreh ai.
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa seanca konstituive është caktuar të vazhdojë sot në orën 11:00.

