Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për sot, pas skadimit të afatit kushtetues.
Kurti nuk ka komentuar më gjatë zhvillimet e fundit politike, por ka thënë se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
“Kryesuesi Avni Dehari e ka ftuar për sot dhe sot i përgjigjem pozitivisht”, deklaroi Kurti para hyrjes në Kuvend.
Seanca konstituive është caktuar të vazhdojë sot në orën 11:00, pasi Kuvendi nuk arriti të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi për vazhdimin e seancës pas skadimit të afatit ka shkaktuar reagime të ndryshme nga partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke e cilësuar këtë zhvillim si çështje me pasoja kushtetuese.

