Partia Demokratike e Kosovës kërkon që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë të mërkurën, më 12 gusht. Grupi Parlamentar i PDK-së ka paralajmëruar se deputetët e saj do të jenë në sallë në orën 11:00, pavarësisht nëse seanca thirret zyrtarisht.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka dërguar të martën kërkesë zyrtare Avni Deharit, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, që të thërrasë për nesër vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
PDK vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por thekson se kalimi i këtij afati nuk e heq detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
PDK: Nesër do të jemi në sallën e Kuvendit
Partia opozitare ka kërkuar që vazhdimi i seancës të thirret pa vonesa të tjera dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët.
PDK ka bërë të ditur se, pavarësisht nëse Dehari e thërret apo jo zyrtarisht seancën, deputetët e saj do të jenë të mërkurën, më 12 gusht, në orën 11:00, në sallën e Kuvendit.
Sipas PDK-së, kjo kohë përkon edhe me përfundimin e 48-orëshit të dytë për vazhdimin e seancës, në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
Ftohen edhe grupet e tjera parlamentare
PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë nesër në sallën e Kuvendit.
Sipas partisë, prania e deputetëve do të dëshmonte gatishmërinë politike dhe vullnetin për të përmbushur mandatin e marrë nga qytetarët.
Situata rreth konstituimit të Kuvendit pritet të mbetet në qendër të zhvillimeve politike edhe gjatë ditës së mërkurë, më 12 gusht.

