Një shtetas i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Spiunazh”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, arrestimi është kryer me urdhër të kësaj prokurorie nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
I dyshuari, me inicialet F.S., është arrestuar në pikën kufitare në Merdare të Podujevës, pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit dhe dokumentimit të dyshimeve për veprën penale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
Institucionet e drejtësisë kanë deklaruar se mbeten të përkushtuara në luftimin dhe ndjekjen penale të veprimtarive të kundërligjshme, veçanërisht të atyre që dyshohet se cenojnë sigurinë kombëtare.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa për personin e arrestuar vlen parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

