Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vendosur të mos marrë pjesë në takimin e së martës të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me liderët e partive politike.
Takimi është thirrur me qëllim të zhvillimit të dialogut politik dhe institucional për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
Megjithatë, PDK-ja e ka refuzuar ftesën, duke e konsideruar atë si një përpjekje për manipulim të situatës politike dhe të afateve kushtetuese.
Ismaili: Haxhiu duhej t’i shkruante Deharit
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, konfirmoi të shtunën se përfaqësuesit e partisë nuk do të marrin pjesë në takim.
Ai kritikoi mënyrën se si është bërë thirrja nga Haxhiu, duke thënë se ajo fillimisht do të duhej t’i drejtohej kryesuesit të Kuvendit, Avni Deharit, për thirrjen e seancës.
“Kjo është edhe një tentativë manipulimi për afate. Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë seancën”, deklaroi Ismaili.
Sipas tij, nuk ka logjikë që ushtruesja e detyrës së presidentes të zhvillojë takime me liderët politikë ndërkohë që, sipas PDK-së, duhet të ndërmerren hapa institucionalë për thirrjen e seancës së Kuvendit.
“Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit?”, tha ai.
“PDK-ja nuk do të jetë në atë takim”
Ismaili e bëri të qartë qëndrimin e partisë:
“PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend.”
Refuzimi i PDK-së e vështirëson edhe më tej përpjekjen për të krijuar një tryezë të përbashkët të partive politike, në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me ngërç institucional dhe pamundësi për funksionalizimin e plotë të institucioneve të reja.
Takimi i thirrur nga Haxhiu është paraparë të mbahet të martën në orën 09:00.

