Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikën e Kalimit Kufitar “Dheu i Bardhë”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është zbuluar gjatë kontrollit të detajuar të një autobusi të linjës ndërkombëtare.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 100 mijë euro, të ndara në 500 kartëmonedha nga 200 euro.
Paratë nuk i ishin nënshtruar procedurave të detyrueshme të deklarimit në pikën kufitare.
Nis procedura për kundërvajtje doganore
Mjetet monetare janë sekuestruar nga autoritetet, ndërsa ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore.
Policia e Kosovës ka theksuar se rasti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me qëllim të zbatimit të legjislacionit dhe forcimit të kontrollit kufitar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Policisë dhe Doganës do të vazhdojë, veçanërisht në funksion të parandalimit të rasteve të mosdeklarimit të mjeteve monetare dhe ruajtjes së sigurisë financiare në vend.

