Kryeministri i falënderon për kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarëve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi tashmë janë zyrtarisht shtetas të Republikës së Kosovës.
Kurti, përmes një postimi, i ka cilësuar dyshën si “miq të vjetër të Kosovës”, duke vlerësuar kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe çështjes shqiptare.
“Dy shtetas të rinj të Republikës, por miq të vjetër të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se Joe dhe Shirley DioGuardi, përveç shtetësisë amerikane, tani zyrtarisht i përkasin edhe Republikës së Kosovës, duke theksuar se ata kanë qëndruar për dekada në mbështetje të shqiptarëve.
Kurti i priti DioGuardit në Zyrën e Kryeministrit, ku, sipas tij, zhvilluan një takim për kontributin e tyre gjatë dekadave të fundit, zhvillimet në Kosovë dhe të ardhmen e vendit.
Në takim morën pjesë edhe anëtarë të Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me të cilët u diskutua për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në mbështetje të Kosovës.
Kurti veçoi gjithashtu rolin e Joe DioGuardit, të cilin e cilësoi si kongresistin e parë amerikan me origjinë shqiptare, duke përmendur edhe figura të tjera amerikane që, sipas tij, ishin ndër zërat e hershëm dhe të fuqishëm në mbështetje të shqiptarëve.
Ai përmendi Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, duke vlerësuar rolin e tyre në një periudhë kur, siç u shpreh, populli i Kosovës kishte nevojë më shumë se kurrë që zëri i tij të dëgjohej në arenën ndërkombëtare.
“Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA”, shkroi Kurti, duke shtuar se mirënjohja ndaj tyre mbetet e përhershme.

