Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij boksieren kosovare Donjeta Sadiku, të cilën e ka përgëzuar për suksesin e arritur në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kurti bëri të ditur se Sadiku ia ka dedikuar Kosovës medaljen e artë të fituar në këtë garë, duke e falënderuar për përkushtimin dhe kontributin e saj në sportin e boksit.
“Fitoren në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do ta mbajmë mend gjatë, sepse është historike”, ka shkruar Kurti.
Në takim ishte edhe trajnerja e Sadikut, Marjola Sallauka. Sipas Kurtit, boksierja dhe trajnerja e saj tashmë kanë nisur përgatitjet për Kampionatin Evropian, i cili zhvillohet muajin e ardhshëm.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe medaljet që pritet të ndahen në këtë ngjarje të madhe sportive.
Kurti tha se është krenar me sukseset e sportistëve kosovarë, duke veçuar përveç xhudos edhe boksin.
“Faleminderit për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare sportive”, përfundoi Kurti.

