Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se gjashtë deputetë të partisë nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë para mediave, Abdixhiku tha se ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur në rrethanat aktuale politike, por pranoi se marrëveshja për zgjedhjen e presidentit nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e plotë të Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ai u kërkoi falje qytetarëve për situatën e krijuar, duke theksuar se përçarjet brenda grupit parlamentar e kanë vështirësuar arritjen e një zgjidhjeje.
“U kërkoj falje popullit të Kosovës. Kaq munda, nuk munda më tepër, jo me këtë grup parlamentar, me këtë ndarje e me këtë përçarje. U mundova të jap një njeri të dinjitetshëm, kundrejt një partie që kishte synime absolute”, deklaroi Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme brenda LDK-së, 12 deputetët e partisë do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit në ditën e votimit për president.
“Unë, me 12 deputetë, do të jem në sallë ditën kur të votohet Presidenti”, tha ai.
Deklarata e Abdixhikut vjen pas kundërshtimeve publike të disa deputetëve të LDK-së ndaj marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut.
Me gjashtë deputetë që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën, mbetet e pasigurt nëse marrëveshja politike mes LDK-së dhe LVV-së do të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe, rrjedhimisht, shmangien e një krize të re institucionale.
