Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Kryemjeshtrin Driton Kuka dhe ekipin e xhudos, me të cilët ka diskutuar për sukseset e fundit të sportistëve kosovarë dhe për përgatitjet për katër vitet e ardhshme, deri te Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kurti bëri të ditur se Laura Fazliu u kthye me medalje të argjendtë, ndërsa Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj fituan medalje të bronzta.
Ai vlerësoi punën dhe përkushtimin e sportistëve, duke theksuar se pas këtyre rezultateve qëndrojnë vite të tëra pune, disipline dhe një sistem i organizuar.
Kurti: Diskutuam për atë që vjen pas Tarantos
Sipas Kurtit, takimi nuk u përqendrua vetëm te rezultatet e arritura në Lojërat Mesdhetare, por edhe te hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.
“Por takimi ynë ishte edhe për atë që vjen pas Tarantos. Diskutuam rezultatet dhe analizat e para nga Lojërat Mesdhetare, çfarë duhet të mësojmë prej tyre dhe hapat që duhet t’i ndërmarrim në katër vitet që na ndajnë nga Prishtina 2030”, shkroi Kurti.
Ai tha se xhudoja ka dëshmuar se Kosova mund të arrijë rezultate të mëdha kur talenti kombinohet me punë afatgjatë, profesionalizëm dhe standarde të larta.
“Ta forcojmë kulturën e rezultatit në gjithë sportin”
Kurti theksoi se synimi është që përvoja dhe modeli i suksesit të xhudos të shtrihet edhe në sportet e tjera në Kosovë.
“Xhudoja na ka treguar se çfarë mund të arrijë Kosova kur talenti shoqërohet me punë afatgjatë, profesionalizëm dhe standarde të larta. Tash synimi është që këtë kulturë të rezultatit ta forcojmë edhe më shumë në gjithë sportin kosovar.”
Në fund, Kurti uroi sportistët për rezultatet e arritura, duke falënderuar edhe Kryemjeshtrin Driton Kuka, trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Fatos Tabaku, si dhe të gjithë ekipin e xhudos.
“Urime edhe një herë sportistëve, Kryemjeshtrit Driton Kuka, trajnerëve Majlinda Kelmendi e Fatos Tabaku dhe gjithë ekipit të xhudos!”

