Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonive shtetërore në Serbi për nder të ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mlladiq, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid. Kurti e ka akuzuar Beogradin se ka kaluar nga mohimi i gjenocidit në glorifikimin e tij.
Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka krahasuar aktivitetet e fundit në Kosovë me ceremonitë e zhvilluara në Serbi, duke theksuar se në Kosovë janë shënuar përvjetorë të Policisë së Kosovës, Nënë Terezës dhe Kushtetutës së Kaçanikut.
“Pardje e kemi shënuar 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Të shtunën e kemi shënuar 29-vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe 10-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Ndërsa dje, e kemi shënuar Ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës nga viti 1990, apo siç njihet në mënyrë të popullarizuar, të Kushtetutës së Kaçanikut”, ka shkruar Kurti.
Kurti: Serbia nderoi Ratko Mlladiqin
Në anën tjetër, Kurti tha se Serbia e kaloi fundjavën duke u përgatitur për ceremonitë shtetërore në nderim të Ratko Mlladiqit, të cilin e cilësoi si “kriminel lufte” dhe përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.
Kurti përmendi vrasjen e 8.372 boshnjakëve, kryesisht burra dhe djem, gjatë korrikut të vitit 1995.
Ai theksoi se gjenocidi në Srebrenicë është dokumentuar dhe vërtetuar përmes dëshmive, identifikimeve forenzike, varrezave masive dhe dokumentimit të operacionit të vrasjeve dhe fshehjes së trupave.
Sipas Kurtit, viktimat u ndanë nga familjet, u ekzekutuan në mënyrë sistematike dhe trupat e tyre u zhvendosën në varreza të ndryshme në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
“Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”, ka shkruar Kurti.
“Mlladiqi ishte sëpata kryesore e Millosheviqit”
Kurti ka përdorur gjuhë të ashpër edhe për ish-presidentin serb, Slobodan Millosheviq, dhe për Mlladiqin.
“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”, ka deklaruar Kurti.
Ai iu referua gjithashtu vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007, e cila konstatoi se Serbia kishte dështuar në përmbushjen e detyrimit për parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe se nuk kishte bashkëpunuar plotësisht me Tribunalin për ish-Jugosllavinë në lidhje me dorëzimin e Mlladiqit.
Kritika për ceremoninë shtetërore
Kurti kritikoi mënyrën se si Serbia e përcolli dhe nderoi Mlladiqin, duke përmendur përdorimin e një aeroplani qeveritar, flamurit, pjesëmarrjen e ushtrisë, ministrave, klerikëve dhe orkestrës.
Sipas tij, një veprim i tillë e tejkalon mohimin e krimeve dhe shndërrohet në glorifikim institucional.
“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.
Kurti: Serbia po e kthen glorifikimin në politikë shtetërore
Në pjesën tjetër të reagimit, Kurti e lidhi ceremoninë për Mlladiqin me raste të mëparshme të nderimit të figurave serbe të lidhura me historinë e luftërave dhe nacionalizmit serb.
Ai përmendi varrimin e priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj të vitit 1991 dhe e krahasoi atë me ceremoninë për Mlladiqin në shtator 2026.
Kurti kritikoi edhe pjesëmarrjen e Patriarkut serb Porfirije në ceremoninë fetare pranë trupit të Mlladiqit.
Në përfundim, ai tha se Serbia, sipas tij, ka kaluar një vijë të re në raport me krimet e luftës në Bosnje.
“Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka përfunduar Kurti.

