Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir S. Kërçeli, ka reaguar ndaj kandidaturës së Kujtim Shalës nga LDK-ja për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Kërçeli, përmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar deklarimet e mëhershme të Shalës kundër bashkëpunimit me kryeministrin Albin Kurti, duke ngritur pyetjen se nga kush po kërkon tash vota për t’u zgjedhur në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
“Kujtim Shala është deklaruar se është votuar për të mos bashkëpunuar me Albin Kurtin. Tash po i kërkon votat e Lëvizjes për t’u bërë nënkryetar. Prej kujt po kërkon votë tash?! Ai që nuk ka votë madje as kundër Presidentit e as nuk rri në sallë?!”, ka shkruar Kërçeli.
Kujtim Shala është propozuar nga LDK-ja për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit po vazhdon me procedurat për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

