Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka premtuar furnizime të tjera me armë për Ukrainën, përfshirë raketa për mbrojtjen ajrore PAC-2, të nevojshme për sistemet “Patriot”, si dhe një numër më të madh raketash AIM-9.
Duke folur gjatë një videokonference të Grupit të Kontaktit për Ukrainën (UDCG), Pistorius tha se me uljen e temperaturave dhe afrimin e vjeshtës e dimrit pritet që sulmet ajrore ruse ndaj Ukrainës të shtohen sërish.
Ai u bëri thirrje edhe aleatëve të tjerë që të shqyrtojnë rezervat e tyre ushtarake dhe të ofrojnë mbështetje për Ukrainën.
“Nëse keni dyshime, vendosni në favor të Ukrainës”, tha Pistorius.
Ministri gjerman theksoi se përpjekjet e Rusisë për frikësim dhe sulmet hibride nuk do të kenë sukses ndaj Ukrainës, Gjermanisë apo partnerëve të tjerë.
“Përkundrazi, sjellja e pamëshirshme dhe e papërgjegjshme e Rusisë vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë për të mbrojtur paqen dhe lirinë në Evropë”, deklaroi Pistorius.
Gjatë videokonferencës, ministrat e Mbrojtjes të vendeve që mbështesin Ukrainën diskutuan mënyrat për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit përpara dimrit, në një kohë kur Ukraina po përballet me sulme të vazhdueshme dhe të rënda ajrore ruse.
Në takimin e Grupit të Kontaktit morën pjesë për herë të parë edhe ministri i ri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, si dhe ministri i ri ukrainas i Mbrojtjes, Jevhenij Çmara.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri thirrje që të gjitha shtetet të rrisin mbështetjen për Ukrainën.
“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër”, theksoi Rutte.
Zelensky falënderon Gjermaninë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e saj ushtarake dhe angazhimin për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Përmes një reagimi në platformën X, Zelensky tha se vendimet për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të kryer sulme vdekjeprurëse e afrojnë paqen.
“Këto janë pikërisht vendimet që e sjellin paqen më afër, pra kur kufizohen aftësitë e agresorit për të vrarë”, shkroi Zelensky.
Ai falënderoi Gjermaninë për atë që e cilësoi si qëndrim parimor dhe për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës.
“Falënderime Gjermanisë për qëndrimin e saj parimor, për mbështetjen dhe për dhjetëra-mijëra jetë që janë shpëtuar nga sulmet ruse”, shtoi presidenti ukrainas.
