Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur bindjen se katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen në Kosovë.
Haradinaj tha se nuk e sheh logjikën juridike që ish-krerët e UÇK-së të shpallen fajtorë, duke argumentuar se, sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse ndaj forcave serbe.
“Unë besoj që këta do të vijnë në Kosovë, pra do të vijnë, do të lirohen të katërtit që janë tash. Nuk po e shoh logjikën e ligjit ndërkombëtar. Ju shihni çka po ndodh në botë, sa luftëra ka, sa është kolaterali i luftërave ku ka edhe zhvillime. Pastaj e shihni Serbinë që i ndërroi njerëzit që kanë kryer krime, të dënuar për krime”, tha Haradinaj.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor në Hagë, duke pretenduar se deri tani gjykata ka dhënë vetëm vendime dënuese dhe se shumica e kërkesave të mbrojtjes për lirim apo leje nuk janë pranuar.
Haradinaj theksoi se pret që procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përfundojë me lirimin e tyre dhe kthimin në Kosovë.
Katër ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për akuzat e ngritura ndaj tyre.

