Qeveria federale gjermane po shqyrton masa më të ashpra ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” ruse, e cila akuzohet se përdoret për shmangien e sanksioneve ndërkombëtare dhe është lidhur me aktivitete të dyshuara sabotuese e hibride.
Pas akuzave të ngritura më 1 shtator ndaj Rusisë për një tentativë të dështuar sulmi me dron ndaj aeroportit të Lajpcigut, qeveria gjermane njoftoi një sërë masash kundërpërgjigjeje. Në mesin e tyre është edhe forcimi i masave ndaj flotës hije ruse.
Me këtë term zakonisht përfshihen anije, kryesisht cisterna nafte, të vjetra, me mirëmbajtje të dobët, sigurim të pamjaftueshëm dhe pronësi të paqartë, të cilat dyshohet se përdoren nga Rusia për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Megjithatë, ndalimi ose sekuestrimi i këtyre anijeve nuk është i thjeshtë.
Eksperti për sigurinë detare në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP), Julian Pawlak, tha për DW se e drejta ndërkombëtare detare garanton në parim lirinë e lundrimit tregtar.
“Transporti i këtyre mallrave në det të hapur nuk është në vetvete i paligjshëm. Problemi është se një pjesë e kësaj ‘flote hije’ lidhet me aktivitete të ashtuquajtura hibride, si sabotime, spiunazh, përdorim të mundshëm të dronëve dhe veprime të tjera destabilizuese”, shpjegoi Pawlak.
Deputetja e të Gjelbërve për çështjet e sigurisë, Sara Nanni, mendon se Gjermania deri tani ka bërë shumë pak për ta luftuar këtë fenomen.
“Rusia financon luftën kundër Ukrainës dhe politikën e saj agresive ndaj Europës përmes flotës së saj hije”, tha Nanni për DW, duke kërkuar një qëndrim më të vendosur nga Berlini.
“Kjo është ndoshta masa e vetme që mund ta detyrojë Rusinë të rikthehet në tryezën e negociatave”, deklaroi ajo.
Nanni akuzoi qeverinë federale për mungesë vullneti politik, duke theksuar se shtete të tjera evropiane kanë ndërmarrë masa më të forta në Detin Baltik.
Finlanda ndaloi një cisternë pas dëmtimit të kabllos
Një nga shembujt e përmendur është Finlanda.
Në fund të vitit 2024, cisterna “Eagle S” tërhoqi një spirancë në fundin e Gjirit të Finlandës dhe dëmtoi kabllon elektrike Estlink 2. Si pasojë, roja kufitare finlandeze ndaloi anijen.
Edhe pse më vonë një gjykatë finlandeze e hodhi poshtë akuzën për dëmtim të rëndë të pronës, eksperti i sigurisë Sönke Marahrens nga Universiteti i Kielit e vlerësoi pozitivisht reagimin e autoriteteve finlandeze.
“Finlandezët i dërguan një sinjal të qartë palës tjetër dhe i thanë: Ne e dimë çfarë po bëni dhe do t’ju ndalojmë”, tha Marahrens për DW.
Edhe Britania e Madhe, Franca dhe Suedia kanë ndërmarrë masa ndaj anijeve të dyshuara si pjesë e flotës hije. Autoritetet suedeze, në veçanti, kanë shtuar ndalimet dhe kontrollet ndaj cisternave dhe anijeve të mallrave të dyshuara.
Anijet mund të ndalohen në rastet kur përdorin dokumente të falsifikuara, nuk kanë sigurim të mjaftueshëm, paraqesin rrezik për sigurinë detare ose shkelin legjislacionin mjedisor.
Berlini përballet me dilemën e përshkallëzimit
Një nga shqetësimet në Gjermani është mundësia e përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë.
Kjo çështje është bërë edhe më e ndjeshme pas zgjedhjeve rajonale në Saksoni-Anhalt, ku AfD-ja doli fituese. Partia kërkon përmirësimin e marrëdhënieve të Gjermanisë me Rusinë dhe, sipas sondazheve, frika nga një luftë në Evropë ka qenë një faktor i rëndësishëm në votën e qytetarëve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i ka cilësuar akuzat gjermane ndaj Moskës si “fillimin e një lufte të vërtetë”.
Megjithatë, Johannes Peters nga Instituti për Politikë të Sigurisë në Kiel mendon se shqetësimet për një përshkallëzim nuk duhet të pengojnë veprimet.
Sipas tij, shtetet e tjera evropiane kanë vepruar më me vendosmëri pa shkaktuar një përshkallëzim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Pas tentativës së dështuar për sulm ndaj aeroportit të Lajpcigut, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se qeveria federale do t’u imponojë një kosto autorëve të sulmeve hibride.
Peters argumenton se tani deklaratat duhet të shoqërohen me veprime konkrete.
“Nëse përdor një retorikë të fortë, në një moment duhet ta mbështesësh atë edhe me veprime konkrete. Kancelari e ka vënë qeverinë federale nën presion për të vepruar”, tha ai.
Rreziku i ekuipazheve të armatosura
Kontrolli i anijeve të dyshuara ruse nuk është pa rreziqe.
Eksperti Julian Pawlak paralajmëroi se disa prej këtyre anijeve mund të shoqërohen nga mjete luftarake ruse, ndërsa në disa raste në bord mund të ketë edhe ekuipazhe të armatosura të lidhura me grupe mercenare ruse.
Një situatë e tillë është parë në Detin Baltik.
Në maj të vitit 2025, kapiteni i cisternës së naftës “Jaguar” shpërfilli urdhrat e autoriteteve estoneze ndërsa ndodhej në ujërat bregdetare të Estonisë. Autoritetet tentuan ta ndalonin dhe kontrollonin anijen, ndërsa Rusia ngriti në fluturim një avion luftarak.
Përballë këtij presioni, autoritetet estoneze u tërhoqën dhe cisterna vazhdoi rrugën.
Sipas Pawlak, rreziku varet shumë edhe nga rajoni ku zhvillohen këto operacione.
Në Detin Baltik, Rusia është gjeografikisht shumë pranë dhe ka mundësi më të mëdha për të angazhuar mjete ushtarake në mbështetje të anijeve të dyshuara. Ndërsa në zona më të largëta, si Kanali i La Manshit mes Britanisë së Madhe dhe Francës, mundësia e Moskës për të shoqëruar dhe mbrojtur çdo anije është shumë më e kufizuar.
Synimi: Rritja e kostove për Rusinë
Eksperti Johannes Peters thekson se kontrollet nuk do ta zhdukin flotën hije ruse, por mund ta bëjnë funksionimin e saj më të kushtueshëm dhe më të rrezikshëm.
“Përmes këtyre kontrolleve nuk do të jemi në gjendje ta çmontojmë ose ta zhdukim këtë sistem. Qëllimi është t’i shtojmë flotës hije ruse rreziqet, pasiguritë dhe kostot e funksionimit”, tha Peters.
Sipas tij, edhe vonesat në transport mund të kenë ndikim të madh financiar.
Nëse numri i anijeve që mund të lundrojnë reduktohet ndjeshëm ose udhëtimet zgjasin disa ditë më shumë për shkak të kontrolleve dhe ndalimeve, Rusia mund të përballet me humbje të konsiderueshme të të ardhurave.
Peters vlerëson se të ardhurat nga eksporti i naftës janë jetike për ekonominë ruse të luftës.
Për këtë arsye, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane po përballen me një dilemë të ndërlikuar: si të kufizojnë flotën hije ruse dhe financimin e luftës, pa shkelur të drejtën ndërkombëtare detare dhe pa shkaktuar një përshkallëzim të drejtpërdrejtë me Moskën.

