Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të substancave narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti është zbuluar më 9 shtator 2026, gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll fizik një autobus me udhëtarë, duke kontrolluar automjetin dhe bagazhet e tij.
Gjatë intervistimit, njëri prej udhëtarëve, i pyetur nëse kishte ndonjë mall apo send për të deklaruar, nuk ka deklaruar asgjë.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të çantës së krahut të tij, zyrtarët doganorë kanë gjetur një qese plastike që përmbante një substancë të dyshuar si narkotike.
Pas peshimit, substanca e dyshuar ka rezultuar të jetë 2.162 kilogramë marihuanë.
Në kuadër të kontrollit të mëtejshëm, autobusi është kontrolluar edhe përmes skanerit, por nuk janë evidentuar parregullsi të tjera.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa personi i dyshuar dhe substanca e sekuestruar janë proceduar më tej tek organet kompetente për ndërmarrjen e veprimeve ligjore.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë angazhimin për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe trafikimit të substancave narkotike.

