Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjatë ditës së sotme nisin deklaratat përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Vetëm ka vendosur që deklaratat përmbyllëse në çështjen “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit” të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke filluar nga ora 09:30.
Mbajtja e deklaratave përfundimtare shënon fazën e fundit të paraqitjes së argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor. Pas përfundimit të kësaj faze, Gjykatësi i Vetëm pritet të marrë vendimin për rastin.
Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të përfshira në aktakuzë lidhen me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në aktakuzë pretendohet se, të paktën gjatë periudhës nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor 2023, Hashim Thaçi ka zbuluar informacione konfidenciale që i ishin bërë të njohura gjatë gjykimit të tij.
Sipas aktakuzës, Thaçi, së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin, kanë bashkërenduar veprime me qëllim të ndikimit të paligjshëm në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Deklaratat përfundimtare do t’u japin palëve mundësinë që të paraqesin përmbledhjen e argumenteve të tyre para se Gjykatësi i Vetëm të tërhiqet për të marrë vendimin.
Të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë dhe përgjegjësia e tyre penale mund të përcaktohet vetëm me një vendim përfundimtar gjyqësor.

