Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një postimi, Haxhiu tha se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shkruar Haxhiu.
Më herët, Arbërie Nagavci, në cilësinë e kryesueses së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kishte njoftuar se ia kishte dorëzuar Haxhiut propozimin për caktimin e Kurtit mandatar për formimin e Qeverisë.
“Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të Qeverisë së re”, kishte shkruar Nagavci.
Ndërkohë, sot pritet të thirret seanca e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re.
Sipas burimeve të KOHËS, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet të propozojë një kabinet qeveritar të ngjashëm me atë të mandatit të kaluar.

